Fekry Hamdy Fadl Abdeen,Zeynep Hilal Karyağdı
08 Mars 2018•Përditësim: 09 Mars 2018
DOHA (AA) – Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Ali Muhyiddin el-Karadag dënoi ashpër ngjarjet e dhunshme ndaj muslimanëve në rajonin Kandy të Sri Lankës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim, Karadag, ka dënuar dhunën ndaj muslimanëve në rajonin Kandy dhe kërkoi nga qeveria e Sri Lankës që të mbrojë muslimanët dhe të drejtën e tyre për adhurim si dhe ndalimin e shkeljeve.
“Kushdo që është autori, këto ngjarje janë sulme terroriste”, tha Karadag duke kërkuar nga qeveria të ndërmarrë masat e nevojshme për ndalimin e sulmeve kriminale të cilat mund të shndërrohen në një kaos që dëmton muslimanët dhe budistët dhe i cili në të ardhmen mund të prekë të gjithë.
Karadag më tej vuri në pah respektin ndaj gjakut të njeriut dhe shtoi se të gjitha ligjet ndërkombëtare si dhe parimet e feve qiellore nuk pranojnë dëmtimin e njeriut në asnjë mënyrë.
Sulmet ndaj muslimanëve në Sri Lanka filluan pasi pretendohet se një grup muslimanësh të hënën kanë sulmuar një burrë Sinhala i cili pas sulmit është dërguar në spital ku dhe ka ndërruar jetë.
Budistët ekstremistë u kanë vënë zjarrin mbi 10 shtepive dhe shitoreve të muslimanëve në rajonin Kandy ndërkaq për shkak të ngjarjeve në rajon është shpallur ndalesë për dalje në rrugë.
Presidenti i Sri Lankës, Maithripala Sirisena, për shkak të shqetësimit të përhapjes së ngjarjeve të Kandy-t në rajone të tjera të vendit, një ditë më parë shpalli gjendje të jashtëzakonshme.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shprehu shqetësimin lidhur me dhunën ndaj muslimanëve në Sri Lanka.
Popullsia e Sri Lankës përbëhet nga 75 për qind budistë shumica e të cilëve janë Sinhala ndërkaq muslimanët përbëjnë 9 për qind të popullsisë.