Recep Şakar
08 Mars 2018•Përditësim: 08 Mars 2018
MELBOURNE (AA) – Femrat pjesëmarrëse shpalosën kërkesat e tyre për të drejtat e gruas në marshin e organizuar në qytetin Melbourne të Australisë për shënimin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit që morën pjesë në marshin e organizuar në qendër të qytetit Melbourne, kërkesat për “barazi ekonomike, diskriminim gjinor, racizëm, leje prindërore të paguar, pagë të barabartë për punë të barabartë, përkujdesje pa pagesë për fëmijët, dhënien fund të dhunës ndaj grave, shërbim shëndetësor pa pagesë në të cilën do kenë qasje të gjithë” i radhitën nën titullin “Kërkesa politike”.
Në marshin ku morën pjesë afro 2.000 persona, protestuesit që brohorisnin slogane të ndryshme lidhur me rregullimet ligjore për femrat, mbanin pankarta me mbishkrime si: “Ngritja e femrës nuk do të thotë rënie e meshkujve”, “Unë jam grua, më dëgjo mua”, “Nuk do të heshtim”, “Marsho për femrat”, “Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut”.
Në deklaratën për AA, Sara Yakub, studente e juridikut njëherit dhe një nga femrat të cilat mbajtën fjalim në marshin për Ditën Ndërkombëtare të Gruas të organizuar nga Grupi Melbourne, marsh të cilin pos sindikatave e mbështeten edhe shoqatat e grave, tha se luftojnë për arritjen e të drejtave të barabarta në Australi.
Duke theksuar se i jep shpresë pjesëmarrja në marsh e personave me përkatësi të ndryshme etnike, religjioze dhe gjinore, Yakub shtoi: “Duam që në Australi të mos jemi qytetarë të klasës së dytë por duam të kemi të drejta të barabarta. Nuk duam të përbuzemi vetëm pse jemi femra. Fatkeqësisht, femrat në vendet e punës nënçmohen për shkak të punës që bëjmë. Duam që në vendin e punës të kemi të drejta të barabarta".
“Duhet të përpiqemi e të luftojmë më shumë. Në disa fusha duhet të ketë edhe më shumë përfaqësuese femra, për shembull sektori i juridikut. Në Parlament, qytetarët duhet të përfaqësohen nga femrat dhe jo vetëm nga njerëzit e privilegjuar. Këta, në përgjithësi janë meshkuj", tha ajo duke shtuar se në Australi nuk ka shumë njohuri për të drejtat e grave.
Marshi përfundoi me fjalimet para Parlamentit të shtetit të Victoria-s.