Levent Tok,Selen Temizer,Mohamad Misto
02 Prill 2019•Përditësim: 02 Prill 2019
SHBA-ja ka kryer dërgesa me rreth 100 kamionë nga Iraku në Siri që kanë transportuar kontejnerë të mbyllur, tankerë cisterna dhe automjete 4x4 në rajonet e pushtuara të organizatës terroriste YPG/PKK, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale mësohet se mbrëmë në orët e vona të natës rreth 100 maune kanë hyrë në Siri nga pika kufitare Simelka.
Në kamionët me kontejnerë të mbyllur janë vërejtur automjete 4x4 Hummer si dhe tankerë cisterna.
Burimet janë shprehur se nuk janë të sigurtë nëse brenda kontejnerëve ka patur apo jo armë, por kanë vënë theksin se brenda tyre mund të ketë armatime.
SHBA në muajin shkurt ka kryer dy herë dërgesa, një herë në fillim dhe një herë në fund të muajit, ku ajo nga kufiri i Irakut dërgoi rreth 300 kamionë në zonën e pushtuar nga YPG/PKK në Siri.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në mesazhet e tij më 19 dhe 20 dhjetor 2018 ishte shprehur se kanë përfunduar luftën kundër DEASH-it e cila ishte edhe arsyeja e vetme për praninë e tyre në Siri. Qeveria e Washingtonit kishte premtuar se pas përfundimit të luftës kundër DEASH-it do të mblidhnin armët nga YPG/PKK-ja, por pas deklaratës së Trumpit ajo e ndryshoi retorikën e saj duke bërë të ditur për një "tërheqje të ngadaltë dhe të sigurt".
Teksa SHBA u shmang të deklarojë detaje dhe një afat për tërheqjen, komandanti i forcave qendrore të SHBA-ve (CENTCOM), gjenerali Joseph Votel, më 11 shkurt duke u shprehur se tërheqja do të fillonte pas disa javësh, ai kishte dhënë sinjalin se hapat e para të procesit do të fillonin jo më vonë se në mesin e muajit mars. Pavarësisht kësaj, nuk u pakësuan forcat e SHBA-së brenda Sirisë.
Pavarësisht eliminimit të pranisë së DEASH-it në Siri, SHBA-ja tërhoqi vëmendjen se ajo në buxhetin e saj të mbrojtjes për vitin 2020 përcaktoi një numër të madh të armatimeve për t’u përdorur në prodhimin e bombave për YPG/PKK. Lënda shpërthyese C4, apo pajisje të tjera si kabllo fitila ndezës me kohë që përdoren në prodhimin e shpërthyesve artizanalë që do t'i jepen organizatës nga SHBA-ja është zbuluar se përbëjnë rrezik për përdorimin e tyre nga organizata në sulmet në rajonet e pastruara nga terrorizmi në zonën e operacionit “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”.
Që prej vitit 2015 e deri më tani SHBA-ja e cila ka dhënë mbështetje ushtarake për YPG/PKK-në duke treguar si arsyetim luftën kundër DEASH-it, ka ende 18 baza dhe rreth 2 mijë personel ushtarak në pikat e saj ushtarake në Siri.
Ndërkohë që theksohet se organizata terroriste YPG/PKK vazhdon pushtimin e saj në një të tretat e territorit të Sirisë.