Agim Sulaj
11 Shkurt 2022•Përditësim: 12 Shkurt 2022
Institucionet e shëndetësisë në Kosovë kanë pranuar 515 mijë e 970 doza të vaksinës Pfizer, si donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të forcuar reagimin ndaj pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Ambasada e SHBA-së në Kosovë, duke përfshirë dy dërgesat e mëparshme në gusht dhe shtator 2021, SHBA ka dhuruar gjithsej mbi 1 milionë doza për të mbrojtur kosovarët.
"Vaksinat mbesin mënyra më e mirë në botë e mbrojtjes kundër COVID-19 dhe pasojave shkatërruese të tij. Shkalla e lartë e vaksinimit do të thotë shkallë e ultë e hospitalizimit dhe më pak raste të vdekjes. Ju lutem, bëjeni pjesën tuaj: vaksinohuni, lani duart dhe bartni maskën. Të gjithë duhet të punojmë së bashku për ta luftuar dhe mposhtur këtë pandemi globale", tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Presidenti amerikan Joe Biden është zotuar se SHBA do të ndajë më shumë se 1,2 miliard doza të vaksinës nëpër botë me qëllim që, sipas tij, të ndërtohet një botë më e sigurt kundër kërcënimeve nga sëmundjet ngjitëse. Ndërsa ndihma e SHBA-së për Kosovën vjen si pjesë e këtyre vaksinave.
SHBA që nga fillimi i pandemisë i ka dhënë Kosovës rreth 10 milionë dollarë në emër të mbështetjes shtesë të ndërlidhur me pandeminë për ngadalësimin e përhapjes, kujdesin për të prekurit dhe pajisjen e shkollave kosovare, shtëpive të shëndetit, familjeve dhe komuniteteve në 38 komuna.
Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim COVAX (COVAX AMC), që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër COVID-19.