Ekip
01 Shkurt 2021•Përditësim: 01 Shkurt 2021
Pas grusht shtetit ushtarak në Mianmar, riatdhesimi i muslimanëve Rohingya të cilët u larguan nga persekutimi duket i pasigurt, raporton Anadolu Agency (AA).
Bangladeshi ka mirëpritur më shumë se një milion muslimanë Rohingya në kampet e improvizuara në Cox’s Bazar, i cili konsiderohet vendbanimi më i madh i refugjatëve në botë.
Shumica kanë ikur nga dhuna pas sulmeve ushtarake në shtetin Rakhine të Mianmarit në vitin 2017. Por shumë akoma banojnë në vendin fqinj, pa shtetësi dhe të drejtë vote.
Sipas një marrëveshje dypalëshe, Mianmari më parë është shprehur se ishte e angazhuar për riatdhesimin, me Bangladeshin që priste që të fillonte procesin në tremujorin e dytë të këtij viti.
Ushtria në vendin e Azisë Juglindore, megjithatë, tani ka marrë pushtetin pas arrestimit të udhëheqëses de-fakto Aung San Suu Kyi. Është shpallur gjendje e jashtëzakonshme një vjeçare. Grushti i shtetit vjen pas një fitore të madhe zgjedhore nga partia qeverisëse Lidhja Kombëtare për Demokracinë në nëntor të vitit 2020.
Muajin e kaluar, Dhaka filloi zhvendosjen e muslimanëve Rohingya në një ishull të largët në Gjirin e Bengalit. Deri më tani, thuajse 7 mijë persona janë transportuar në Bhasan Char, një ishull që thuhet se është i prirur nga përmbytjet.
"Riatdhesimi ishte i pasigurt, tani është shkatërruar", tha për AA kreu i Shoqatës së Rinisë Rohingya, Khin Maung. "Kjo do të ketë një ndikim të madh në riatdhesimin tonë paqësor në vendin e lindjes", tha ai.
Ai i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ngrejë zërin e saj në mbështetje të demokracisë dhe "të bëjë presion ndaj ushtrisë së Mianmarit për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit".
"Ende ka më shumë se 600 mijë Rohingya që jetojnë në Rakhine. Unë kam shumë të afërm atje. Shqetësohem për ta tani", tha Abdur Rahim, një udhëheqës i kampit të refugjatëve. "Të gjitha shpresat janë shkatërruar", shtoi ai.
"OKB-ja duhet të veprojë kundër ushtrisë së Mianmarit. Nëse situata nuk kontrollohet dhe riatdhesimi ynë paqësor nuk sigurohet menjëherë, kjo do të krijojë probleme për të gjithë ne", tha Mayyu Khan, një tjetër Rohingya në kampin Ukhia në Cox's Bazaar.
Maung Zarni, një aktivist për të drejtat e Rohingya, në një deklaratë në Twitter tha se ata do të vuajnë për shkak të grusht shtetit në Mianmar.
"Kush do të mbrojë çështjen e gjenocidit në Mianmar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, nëse Aung San Suu Kyi është mbyllur nga gjeneralët gjenocidal të cilët ajo i mbrojti me një fytyrë të vërtetë?" tha ai, duke iu referuar deklaratës së Suu Kyit të vitit të kaluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në të cilën ajo mbrojti shtypjen e pakicave.
Mianmari po përballet me akuza për gjenocid në Hagë.
Bangladeshi pret që riatdhesimi të vazhdojë "me seriozitetin e duhur"
Pas zhvillimeve në Mianmar, Ministria e Jashtme e Bangladeshit tha se pret që procesi i riatdhesimit të vazhdojë.
"Ne kemi qenë këmbëngulës në zhvillimin e marrëdhënieve të ndërsjella me Mianmarin dhe kemi punuar me Mianmarin për riatdhesimin vullnetar, të sigurt dhe të qëndrueshëm të Rohingyas të strehuar në Bangladesh. Ne presim që këto procese të vazhdojnë me seriozitetin e duhur", tha ministria në një njoftim.