Ahmet Gürhan Kartal
30 Tetor 2018•Përditësim: 30 Tetor 2018
LONDËR (AA) – E fejuara e gazetarit të vrarë saudit Jamal Khashoggi, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump të zbulojë të vërtetën mbi vrasjen e tij dhe të sigurojë se drejtësia do të shkojë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim në eventin memorial në Londër, Hatice Cengiz tha se “Trump nuk guxon të trasojë rrugën e mbulimit të vrasjes të të fejuarit tim”.
Gjatë adresimit emocional, ajo tha se është shumë falënderuese për solidaritetin që kanë shfaqur njerëzit anembanë botës.
“Megjithatë, unë jam e zhgënjyer nga veprimet e lidershipit në shumë shtete, në veçanti atij në SHBA”, tha Cengiz.
Cengiz ishte pjesëmarrëse e eventit të organizuar nga organizata për monitorimin e shtypit jo-fitimprurës, “Middle East Monitor” (Monitorimi i Lindjes së Mesme) dhe forumi Al Sharq, ku u përkujtua figura e Khashoggit.
“Tani jam në Londër, por nga këtu u bëj thirrje të gjithë burrave dhe grave në botë, ju lutem luftoni për drejtësi”, tha ajo, për të shtuar se i fejuari i saj kishte besim të plotë se do të arrijë liria dhe demokracia në botën arabe.
“Të kërkojmë drejtësinë për Jamalin dhe të luftojmë për idealet e tij”, tha Cengiz.
Eventi i titulluar "Kujtojmë Jamal" u shoqërua edhe me fjalime të drejtorit të Middle East Monitor, Daud Abdullah, deputetit Konservator, Crispin Blunt, dhe disa gazetarë të shquar.
Jamal Kashoggi, gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post” dhe bashkëpunëtor i gazetës “Al Watan” që paraqet platformën kryesore të reformistëve sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi kishte hyrë në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.
Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e Kashoggit, autoritetet e Arabisë Saudite më 20 tetor pohuan se Kashoggi është vrarë gjatë një sherri në konsullatë.
Hetimi mbi vrasjen edhe më tej është në vazhdim, ndërsa hetuesit synojnë gjetjen e mbetjeve mortore të Kashoggit dhe vërtetimin e përgjegjësve për vrasjen.