Kasım İleri
30 Tetor 2018•Përditësim: 30 Tetor 2018
WASHINGTON (AA) - Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) do të dërgojë 5 mijë e 200 trupa në kufirin me Meksikën si një masë paraprake kundër karvanit të emigrantëve që janë nisur nga Amerika Qendrore drejt SHBA-ve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjenerali Terrence John O'Shaughnessy, komandant në Komandën Veriore të SHBA-ve në një deklaratë në Departamentin Amerikan të Sigurisë së Brendshme është shprehur se "Deri në fund të kësaj jave do të dërgojmë mbi 5.200 trupa ushtarake në kufirin jugor. Kjo është vetëm fillimi i operacionit. Do të vazhdojmë të rregullojmë këto shifra. Ky është numri që do të dërgohet përveç 2 mijë 92 rojeve kombëtare të stacionuara atje".
"Aktualisht deri tani rreth 800 ushtarë po mbërrijnë në kufi", tha O'Shaughnessy, duke shtuar se ushtarët do të dërgohen në rajon për të përforcuar kufirin kundër karvanit të emigrantëve që afrohen në kufirin amerikano-meksikan.
Dërgimi i këtyre forcave përforcuese të Pentagonit ka shkaktuar polemika, dhe ky hap shihet si dërgesa më e madhe ushtarake e kryer në vitet e fundit pas asaj në Afganistan. Sipas shifrave zyrtare, SHBA-ja në Afganistan ka 15,000 ushtarë, ndërsa 5,000 në Irak dhe 2,000 në Siri.
Pentagoni dërgimin e ushtarëve në kufirin me Meksikën e ka emërtuar "Operacioni besnik patriotik".
Këtë mëngjes, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në llogarinë e tij Twitter e përshkroi karvanin e emigrantëve si "pushtimin e vendit të tij" dhe u shpreh se "Ushtria jonë do të jetë në pritje për ju".
Kombet e Bashkuara (OKB) kishin raportuar se më shumë se 7,000 njerëz i janë bashkuar karvanit të emigrantëve të cilët u nisën nga Amerika Qendrore për të arritur në SHBA.
Ndërkohë Trump, duke theksuar se policia dhe ushtria meksikane nuk kanë mundur të ndalin emigrantët që vijnë në kufirin jugor të SHBA-ve, ishte shprehur se ka shpallur ''gjendje emergjente" duke mobilizuar patrullimin kufitar.