Ekip
13 Prill 2022•Përditësim: 14 Prill 2022
Së paku 10 persona, përfshirë katër francezë dhe një belg, kanë humbur jetën kur një autobus turistik u përplas me një kamion në një autostradë në jug të Egjiptit, pas së cilës u përfshi nga zjarri, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet lokale konfirmuan se aksidenti ndodhi rreth 55 kilometra në jug të qytetit antik Luxor, teksa udhëtonin për në tempujt Esna në bregun perëndimor të Nilit.
"Pesë egjiptianë humbën jetën në aksident. Të paktën 14 persona u plagosën, duke përfshirë tetë nga Franca dhe gjashtë nga Belgjika", thuhet në deklaratë, duke shtuar se shkaku i aksidentit ende nuk dihet.
Guvernatori i provincës Aswan, Ashraf Attia, tha se të plagosurit u dërguan në spitale dhe janë në gjendje të qëndrueshme.
Aksidenti ndodhi të mërkurën, pesë ditë pasi një autobus doli nga rruga në autostradën pranë Detit të Kuq, ku tre persona humbën jetën, duke përfshirë dy turistë nga Polonia.
Aksidentet fatale të trafikut marrin mijëra jetë çdo vit në Egjipt, i cili ka siguri të dobët në trafik. Shkaktarët kryesorë të aksidenteve dhe përplasjeve janë kryesisht shpejtësia dhe rrugët e këqija.