Gülşen Çağatay
08 Shkurt 2017•Përditësim: 08 Shkurt 2017
ANKARA (AA) - Kapaciteti global bërthamor pritet të rritet në të ardhmen nga 449 reaktorët bërthamorë që aktualisht funksionojnë në 31 vende, tregojnë të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe Administratës amerikane për Informacione të Energjisë (EIA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i energjisë bërthamore në nivel global është mbi 390.000 megavat (MW), thuhet në raportin ditor të EIA të publikuar të martën.
Sipas të dhënave të IAEA-së, në nivel global 60 reaktorë janë në ndërtim e sipër që do të kenë një kapacitet total prej 59.917 megavat kur kur të vihen në përdorim.
Kapaciteti më i lartë në të ardhmen do të instalohet në Kinë me 20.500 megavat që do të prodhohen nga 20 reaktorë.
Rusia renditet e dyta me një kapacitet total prej 5.468 megavat me shtatë reaktorë e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vendin e tretë me kapacitet 5.380 megavat nga katër reaktorë.
"Centrali më i madh bërthamor në SHBA, Palo Verde afër Feniksit, Arizona, renditet si centrali i nëntë më i madh bërthamor në botë dhe më një kapacitet të lartë në mesin centraleve të mëdha bërthamore", thuhet në deklaratën e EIA-së.
Lista e centraleve më të mëdha bërthamore ka ndryshuar në vitet e fundit. Tre centralet në Japoni, secili prej tyre me një kapacitet gjenerues prej më shumë se 4.000 megavat, nuk janë funksionalë pas fatkeqësisë në Fukushima.
Raporti i EIA-së thekson se Kina ka shtuar centralet e mëdha bërthamore. Centrali Hongyanhe pranë Dalian në Kinë, kishte një kapacitet prej 3.183 megavat në fund të vitit 2015.
Megjithatë, me fillimin e një reaktori tjetër me kapacitet 1.000 megavat në vitin 2016, centrali tani ka arritur në 4.183 megavat, me dy reaktorë të tjerë në ndërtim e sipër.
Sipas EIA-së, pas centralit Kashiwazaki-Kariwa të Japonisë me kapacitet 7.965 megavat, stacioni bërthamor i gjenerimit Bruce, i cili ndodhet në liqenin Huron në Ontario të Kanadasë, aktualisht është centrali më i madh i energjisë bërthamore në botë i cili është funksional.