Ayşe Erkeç
02 Qershor 2020•Përditësim: 02 Qershor 2020
Ekipet e televizionit turk TRT World të cilët ndjekin protestat e filluara pas humbjes së jetës së afro-amerikanit George Floyd si pasojë e dhunës policore, janë përfshirë nga rrëmuja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga TRT World thuhet se vazhdon dhuna policore në protestat anti-racizëm që filluan në SHBA pas vrasjes së Floyd nga policia.
Ekipet e TRT World që transmetojnë për botën zhvillimet në Amerikë u përfshinë në rrëmujë. Ekipet transmetuese të TRT World në Washington dhe Minneapolis u plagosën me plumbat plastikë dhe kapsulat e gazit që policia përdor për të shpërndarë protestuesit.
Një prej ndërhyrjeve më të ashpëra u përjetua gjatë momentit kur Sally Ayhan, gazetarja e kanalit televiziv TRT World në Washington, po transmetonte drejtpërdrejtë protestat përpara Shtëpisë së Bardhë dhe masat e sigurisë të marra nga shërbimet e fshehta. Gjatë ndërhyrjes ku u plagosën disa protestues, u plagos me plumb plastik edhe gazetarja Ayhan.
Në të njëjtat minuta edhe në Minneapolis, një qendër tjetër ku protestat dhe dhuna policore janë në nivelin më të lartë, nuk i kanë shpëtuar dhunës policore as gazetari Lionel Donovan dhe kameramani i TRT World, Barbaros Sayılgan, të cilët ishin duke përcjellë në ekran ngjarjet e përjetuara. Donovan u plagos nga një plumb plastik.
Teksa SHBA është bërë skenë e protestave më të mëdha në historinë e saj, TRT World vazhdon me ekipet e saj të përcjellë nëpër ekrane pikat më të nxehta të ngjarjeve që po ndiqen nga afër nga e gjithë bota.