Selma Kasap
08 Dhjetor 2017•Përditësim: 09 Dhjetor 2017
ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe në mes të Turqisë dhe Greqisë do të lehtësojë zgjidhjen e problemit të pakicave në Greqi, duke shtuar se zgjidhja e këtij problemi do të afrojë më shumë këto vende, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kërkesa jonë është që shteti grek të mos kërkojë asimilimin e bashkëkombasve tanë. Integrimi është çështje tjetër, por të mos kërkojë asimilimin, sepse edhe ne një gjë të tillë asnjëherë nuk e kemi kërkuar nga asnjë grup etnik dhe as që do ta kërkojmë ndonjëherë", ka thënë Erdoğan në një adresim para komunitetit turk në Komotini në kuadër të vizitës së tij në Greqi.
Ai shtoi se Turqia ka bërë hapa shumë të rëndësishëm kohët e fundit lidhur me nevojat e banorëve të saj, përfshirë edhe ata me origjinë greke.
"Ne vazhdojmë të punojmë shumë për të përmirësuar standardin e jetesës të të gjithë qytetarëve tanë, duke përfshirë ato që janë me origjinë greke. Ne besojmë se është e drejtë e jona të presim të njëjtin qëndrim edhe nga Greqia", tha Erdoğan.
Ai shtoi se beson se komuniteti turk në Trakinë Perëndimore do të sigurojë të ardhmen e tij në këtë rajon në mënyrë të sigurtë me punën që bën.
"Traktati i Lozanës i ka lënë pakicat e dy vendeve si një amanet për vendin tonë dhe Greqinë dhe ne duhet t'i ruajmë ata si sytë tanë. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona dhe konsiderojmë se edhe Greqia është e vetëdijshme për këto përgjegjësi", tha Erdoğan.