Mümin Altaş
04 Shkurt 2020•Përditësim: 05 Shkurt 2020
Pas sulmit të regjimit të Assadit ndaj forcave turke, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan tha se Turqia do të mbajë pikat ushtarake të vëzhgimit në Idlib të Sirisë, bashkë me fortifikimet e nevojshme, pasi ato luajnë rol kyç, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan pas vizitës zyrtare në Ukrainë, në udhëtim drejt Turqisë në avion u tha përfaqësuesve të mediave se sulmi vdekjeprurës ishte shkelje shumë e qartë e marrëveshjes së Idlibit dhe se do të ketë pasoja për regjimin e Assadit.
Mirëpo, ai tha se pas sulmit, nuk ka nevojë për një konflikt ose kontradiktë me Rusinë dhe se po zhvillohen iniciativa serioze strategjike.
Erdoğan tha se operacionet antiterroriste të Turqisë në veri të Sirisë nuk do të ndërpriten dhe do të vazhdojnë me vendosmëri, pasi siç theksoi ai, ata kanë qenë një mësim i mirë për regjimin.
Në sulmin e djeshëm të forcave të regjimit të Assadit ndaj forcave turke në Idlib, u vranë 7 ushtarë turq dhe një kontraktues civil që punonte me ushtrinë turke. Sipas ministrit turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, 13 persona të tjerë u plagosën, por janë në gjendje të mirë.
Akar gjithashtu tha se Turqia në shenjë hakmarrjeje ka goditur mbi 50 shënjestra dhe ka vrarë 76 ushtarë sirianë.
Provinca e Idlibit, e cila ndodhet në veriperëndim të Sirisë, është bastion i opozitës dhe grupeve të armatosura antiqeveritare që nga shpërthimi i luftës civile në vitin 2011.
Aktualisht në të banojnë rreth katër milionë civilë, duke përfshirë qindra mijëra persona të zhvendosur në vitet e fundit nga forcat e regjimit.
Turqia dhe Rusia në shtator të vitit 2018 u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.
Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.
Turqia është ankuar për masakrën dhe sulmet e vazhdueshme dhe i kërkoi Rusisë të frenojë Asadin për të ndaluar gjakderdhjen.