Aynur Ekiz
08 Prill 2019•Përditësim: 08 Prill 2019
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia synon të arrijë një vëllim prej 100 miliardë dollarësh në tregtinë dypalëshe me Rusinë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Derisa tregtia jonë është rritur me 15 për qind dhe ka arritur në 26 miliardë dollarë, synimi ynë është të arrijmë në 100 miliardë dollarë", tha Erdoğan në Moskë gjatë pjesës së hapur për media të takimit të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Rusi, së bashku me homologun rus Vladimir Putin.
"Ne po bëjmë llogaritjen e gjendjes aktuale dhe do të fokusohemi në synimet e reja për periudhën në vijim", shtoi presidenti turk.
Nga ana tjetër, presidenti rus Putin tha se Rusia dhe Turqia, si garantues të bisedimeve të Astanas, japin përpjekje të mëdha për uljen e tensioneve në Siri.
"Me Turqinë vendosëm t'i zhvillojmë marrëdhëniet në korniza të bashkëpunimit të avancuar dhe përforcuar", tha Putin.
Ai theksoi se krahas bashkëpunimit ushtarak-teknik, në agjendën e dy vendeve është edhe finalizimi i transferimit në Turqi të sistemit të mbrojtjes raketore S-400.
Ndryshe, Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë midis dy vendeve mbahet çdo vit që nga viti 2010.