Faruk Zorlu
26 Dhjetor 2018•Përditësim: 26 Dhjetor 2018
ANKARA (AA) - Avionët luftarakë izraelitë që fluturonin mbi Libanin jugor, kanë hedhur raketa të cilat për objektiv kishin caqe në afërsi të kryeqytetit sirian, Damask, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave shtetërore siriane shumica e raketave të shkrepura të martën vonë u rrëzuan para se të godasin objektivat e tyre, ndonëse sipas agjencisë siriane të lajmeve SANA të kontrolluar nga regjimi, u godit një depo armësh, ku si pasojë u plagosën tre ushtarë.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Mbretërinë e Bashkuar, bëri të ditur se sulmet në fjalë kishin në shënjestër tre pozicione në jug të Damaskut, të cilat shërbenin si depo armësh për grupin Hezbollah të Libanit si dhe për forcat iraniane.
Sistemi i mbrojtjes ajrore i Izraelit, rrëzoi në tokë një raketë anti ajrore të shkrepur nga Siria, thuhet në një kumtesë të forcave ajrore izraelite.
Nëse konfirmohet, sulmi izraelit do të jetë i pari që kur presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se SHBA-të do të tërheqin forcat e veta nga Siria.