Ekip
21 Qershor 2021•Përditësim: 21 Qershor 2021
Forcat nigeriane të dielën kanë eliminuar 6 terroristë të Boko Haram-it në një betejë të ashpër, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i ushtrisë gjenerali brigadier, Onyema Nwachukwu tha se pjesëtarët e grupit terrorist në katër kamionë me armë dhe me disa motoçikleta u përpoqën të infiltrohen në një kamp ushtarak në qytetin Kumshe në shtetin e paqëndrueshëm verilindor të Borno-s.
"Trupat guximtarë u morën me elemente të terroristëve të Boko Haram-it në një përpjekje të infiltrimit vetëvrasës në kamp", tha Nwachukwu.
Ai tha se disa nga terroristët u arratisën mes shkëmbimit të armëve me ushtrinë, duke shtuar se u gjetën gjashtë pushkë, një granatë dore, ilaçe të ndryshme dhe disa sende të ndihmës së parë në vendin e ngjarjes.
Mbi 30 mijë njerëz e kanë humbur jetën dhe 3 milionë janë zhvendosur brenda më shumë se një dekade sulmesh terroriste në verilindje të këtij vendi. Boko Haram ka marrë përgjegjësinë për shumicën e sulmeve.