Adam Abu-bashal
25 Tetor 2021•Përditësim: 25 Tetor 2021
Ushtria e Nigerisë ka kryer operacion ajror kundër grupit terrorist Boko Haram në pjesën verilindore të vendit, tha të dielën një zyrtar, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Një kamp i organizatës terroriste u shkatërrua dhe shumë terroristë u vranë në operacionin në pellgun e liqenit Çad", tha në një deklaratë zëdhënësi i Forcave Ajrore Nigeriane, komandanti ajror Edward Gabkwet.
Boko Haram përbën një problem serioz sigurie në Nigeri, vendin më të populluar të Afrikës.
Më shumë se 20 mijë njerëz janë vrarë në aktet e dhunës të organizuara nga grupi terrorist që nga viti 2009.
Që nga viti 2015, organizata ka kryer sulme edhe në Kamerunin fqinj, Çad dhe Niger.
Të paktën 2.000 persona janë vrarë në sulmet e saj në pellgun e liqenit Çad.
Qindra mijëra njerëz janë detyruar të emigrojnë për shkak të sulmeve terroriste dhe konflikteve.