Rahmi Gündüz
18 Nëntor 2015•Përditësim: 18 Nëntor 2015
PARIS (AA) - Avionët luftarakë francezë pas sulmeve në Paris bombardojnë sërish me intensitet për herë të tretë bazën e organizatës terroriste DAESH në rajonin Rakka në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, njoftoi se në orët e mbrëmjes 10 avionë luftarakë kanë bombarduar bazën e terroristëve të DAESH-it në rajonin Rakka.
Ministri francez ndër të tjera u shpreh në kanalit televiziv TF1 se: "Sulmet ajrore do të vazhdojnë duke u intensifikuar, dhe se DAESH do të bëhet shumë keq".
Avionët francezë ditën e djeshme patën lëshuar 16 bomba, ndërsa një ditë më parë 20 bomba ndaj pozicioneve të DAESH.
Franca nisi sulmet ajrore kundër objektivave të DAESH-it në Siri në muajin shtator, ndërsa javën e kaluar pati bombarduar depot e naftës që ndodheshin nën kontrollin e DAESH-it. Franca më parë nuk merrte pjesë në sulmet ajrore në Siri me arsyetimin se "do të forconin regjimin e Asadit".
Presidenti francez, François Hollande, në një fjalim të mbajtur ditë më parë në Parlament pati njoftuar se anija luftarake “Charles De Gaulle” që do të marrë pjesë në operacionet kundër DAESH-it do të niset ditën e enjte. Kjo anije ka kapacitet të mbajë 24 avionë luftarakë në bord. Gjithashtu Franca ka të gatshëm edhe 12 avionë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Jordani.
Në sulmet më 13 nëntor të cilat përgjakën Parisin humbën jetën të paktën 129 persona, dhe u plagosën 352 të tjerë si dhe u vranë 7 terroristë të cilët ndërmorën sulmet në disa pika të ndryshme.