Onur Usta
01 Mars 2017•Përditësim: 02 Mars 2017
PARIS (AA) - Kandidati për president i qendrës së djathtë në Francë, François Fillon, ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga kandidatura pavarësisht asaj se është ftuar për të dëshmuar në një hetim, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media në qendër të fushatës zgjedhore në kryeqytetin Paris, Fillon tha se më 15 mars është ftuar të dëshmojë në një hetim penal.
"Është shkelur shteti ligjor. Do të vij për të dëshmuar dhe do të deklaroj të vërtetat. Shumë miq të mi flasin për një krim politik. Unë nuk do të tërhiqem dhe do të shkoj deri në fund", tha Fillon.
Prokuroria kombëtare e Krimeve Financiare të Francës në ditët e kaluara në lidhje me hetimin për pretendimet ndaj bashkëshortes së kandidatit për president Fillon dhe fëmijëve të tyre njoftoi se nuk do ta linte anash rastin pavarësisht kërkesave të Fillon.
Prokuroria kishte nisur hetimin pas pretendimeve se bashkëshortja e Fillon për 8 vite ka marrë 900 mijë euro pagë si "këshilltare" në kuvend pa punuar asnjë ditë. Gjithashtu edhe për fëmijët e tyre pretendohet se për dy vite kanë marrë një pagë prej 84 mijë euro si "këshilltarë" pa punuar asnjë ditë.
Fillon për shkak të imunitetit si deputet ka patur të drejtën të mos shkonte në hetim për të dëshmuar.
Ish-kryeministri 62 vjeçar Fillon i cili në anketa del si kandidati më i fuqishëm në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në prill dhe maj, pas hetimit në fjalë popullariteti i tij është ulur dhe janë zvogëluar shanset për fitoren e kësaj gare.