Ekip
03 Shkurt 2023•Përditësim: 08 Shkurt 2023
Në Francë është arrestuar bosi i dënuar i mafies italiane, i cili punonte si mjeshtër picash, raporton Anadolu.
Hetuesit francezë dhe italianë thanë se ai u arrestua pas 16 vitesh në arrati.
Edgardo Greco (63) ishte në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve gjatë "luftës mafioze" midis dy bandave në fillim të viteve '90.
Prokurorët besojnë se ai i përket "Ndragetës", organizatës së fuqishme mafioze të themeluar në rajonin jugor të Italisë, Kalabri.
Aktualisht "Ndrageta" është një nga organizatat më të fuqishme kriminale në botë, me lidhje në mbarë Evropën dhe Amerikën Jugore.
Arrestimi i tij paraqet kapjen e dytë të rëndësishme të autoriteteve italiane brenda disa javësh. Arrestimi i tij vjen pas arrestimit të bosit mafioz Matteo Messina Denaro, i cili ishte në arrati për 30 vite.
Që të dy ishin në kërkim për vrasje të kryera në vitet '90-ta.
Greco ishte në arrati që nga viti 2006 pas lëshimit të urdhër arrestit ndaj tij. Tetë vite më vonë u vendos në Saint-Etienne, në juglindje të Lionit ku filloi punë si mjeshtër picash në një restorant italian.
Ai përdori një identitet të ri, me emrin Paolo Dimitrio. Në korrik 2021, ai madje u shfaq në një artikull të gazetës lokale, duke publikuar recetat italiane të restorantit të tij.