Zulfija Jakup
13 tetor 2015•Përditësim: 13 tetor 2015
PRISHTINË (AA) - Policia e Kosovës ka konfirmuar se sonte ka marrur në pyetje Albin Kurtin, zyrtarin e lartë të Lëvizjes "Vetvendosje".
"Mund të konfirmoj se sonte në hyrje të Prishtinës, me urdhër të prokurorit kompetent, njësitë përkatëse të policisë ndaluan Kurtin dhe shoqëruan atë në stacionin policor për një bisedë informative. Të gjitha veprimet e mëtejshme të policisë do të bëhen në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent", thuhet nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për Anadolu Agency.
Gjithashtu edhe nga Lëvizja "Vetëvendosje", njoftohet se policia e Kosovës ka arrestuar Albin Kurtin. Në faqen e saj të Facebook-ut, Lëvizja opozitare "Vetëvendosje", ka deklaruar se Kurti është transferuar në stacionin e policisë Qendër në Prishtinë. Lëvizja i bëri thirrje aktivistëve të saj dhe qytetarëve të mblidhen para stacionit policor, për të kundërshtuar "shtetin policorë".
Policia e Kosovës në natën e premte bastisi zyrën e grupit parlamentar të "Vetëvendosjes" në Kuvendin e Kosovës.
Ish-lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurti hodhi gaz lotsjellës javën e kaluar në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës për ta ndërprerë të njejtën. Gazi lotsjellës ishte pjesë e veprimeve të opozitës, e cila po bllokon punën e Kuvendit për tre javë, duke kërkuar tërheqjen e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e arritur më 25 gusht me Serbinë në Bruksel dhe rishikimin e marrvesjes me Malin e Zi për vijën kufitare.