Fatma Esma Arslan
06 Qershor 2016•Përditësim: 06 Qershor 2016
PARIS (AA) – Njoftohet se dëmet nga përmbytja që u shkaktuan nga reshjet e fuqishme në Francë gjatë ditëve të fundit mund të shkojnë deri në 2 miliardë euro, raporton Anadolu Agency (AA).
Unioni i Kompanive të Sigurimit në Francë, ka bërë të ditur se për shkak të përmbytjes që e ka prekur veçanërisht pjesën qendrore të Francës dhe Parisin dëmet e shkaktuara mund të kushtojnë 600 milionë euro, ndërsa kompania më e madhe e sigurimeve në vend, MAIF, theksoi se dëmet mund të shkojnë deri në 2 miliardë euro.
Kryeministri francez, Manuel Valls, në mbledhjen e organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në lidhje me përmbytjet, njoftoi se do të krijohet një fond emergjence prej dhjetëra miliona eurosh për të dëmtuarit nga katastrofa e përmbytjes.
Ndërkohë 14 rajonet e Francës, siç janë Normandia dhe Il de France ku bën pjesë edhe Parisi, vazhdojnë të ngelin në nivelin e alarmit të “portokalltë” përballë përmbytjes, i cili është një shkallë më poshtë se alarmi “i kuq” që paraqet rrezikun më të lartë. Sinoptikët paralajmëruan se edhe në ditët në vijim mund të ketë reshje shiu porse momentalisht këto nuk përbëjnë rrezik përmbytjeje.
- Komunikacioni ende problematik-
Edhe pse është mënjanuar rreziku që lumi Sena të dalë nga shtrati, ende vazhdojnë problemet në komunikacionin brenda qytetit.
Për shkak të mbylljes së rrugëve përgjatë lumit, prej një jave trafiku në Paris është paralizuar. Thuajse të gjitha rrugët përgjatë bregut të lumit ngelën nën ujë. Disa nga stacionet e linjës periferike të trenit RERC dhe metro-stacionet Saint-Michel dhe Cluny Sarbonne që gjenden buzë lumit, ishin mbyllur si masë kundër rrezikut nga përmbytja. Krahas kësaj, gjithashtu u ndalua edhe shëtitja dhe lundrimi i barkave private.