Felix Nkambeh Tih
29 Prill 2020•Përditësim: 30 Prill 2020
Së paku 13 mjekë në Gana rezultuan pozitivë ndaj koronavirusit të ri (COVID-19) për shkak të pajisjeve të dobëta mbrojtëse, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Virusi prek pothuajse të gjithë, pa diskriminuar të pasurit, të varfrit, të arsimuarit ose jo të arsimuarit, përfshirë profesionistët tanë të kujdesit shëndetësor, infermierët, farmacistët dhe administratorët", tha Paa Baidoo, një zyrtar në Shoqatën e Mjekësisë të Ganës.
Ai tha se infektimet janë për shkak të shpërndarjes jo të duhur të pajisjeve mbrojtëse në objektet shëndetësore në këtë vend të Afrikës Perëndimore.
"Kjo rrezikon jetën e punonjësve të kujdesit shëndetësor", u citua nga Agjencia Afrikane e Lajmeve.
Gana deri më tani ka 1.671 raste të konfirmuara me COVID-19, me 16 vdekje dhe 188 të shëruar, tregojnë shifrat e përpiluara nga Universiteti "Johns Hopkins" me qendër në SHBA.
Të dielën e kaluar, presidenti Nana Akufo-Addo njoftoi heqjen e kufizimeve për lëvizjen e njerëzve që banojnë në qytetet e mëdha si Akra, Kumasi, Tema dhe Kasoa.