Hakan Ceyhan Aydoğan
18 Dhjetor 2015•Përditësim: 18 Dhjetor 2015
MOSKË (AA) – Derisa gazetarët dhe reporterët tjerë ngritnin në ajër laptopët, fotografitë dhe shallet për të parashtruar pyetje gjatë fjalimit vjetor para kombit të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin, gazetarja Elena Teslova në dorë mbante flamurin e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sivjet fjalimin e presidentit rus e ndoqën 1.390 gazetarë dhe reporterë në mesin e të cilëve ishte edhe Teslova.
Kur Putini vërejti gazetaren duke valëvitur flamurin turk propozoi që fjala t’i jepet gazetares.
Teslova, e cila përndryshe është reportere e AA-së nga Moska, presidentit rus i parashtroi pyetje që ka të bëjë me marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë, pozitës së shtetasve dhe afaristëve turq në Rusi, si dhe për krizën në Siri.
Teslova, e cila tërhoqi vëmendje të madhe, pas fjalimit të Putinit gazetarëve u tha se me shfaqjen e flamurit turk, tentoi të tërheqë vëmendjen e Putinit.
“Kisha disa pyetje për Putinin, por e kisha patjetër, para së gjithash, të tërheqë vëmendjen e tij. Punoj për AA, dhe pasi që përfaqësoj agjencinë turke kam ngritur flamurin turk”, tha gazetarja.
Duke folur për tensionet mes Rusisë dhe Turqisë, Teslova theksoi se shpreson që marrëdhëniet mes dy vendeve së shpejti të përmirësohen.
“Shpresoj që kjo krizë të përfundojë sa më shpejtë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve të përmirësohen. Turqit dhe rusët me shekuj jetojnë si fqinj. Viteve të fundit marrëdhëniet mes dy vendeve shumë u zhvilluan”, tha Teslova duke shfaqur bindjen se asgjë nuk mund të cenojë miqësinë turko-ruse.