Ekip
30 Maj 2022•Përditësim: 31 Maj 2022
Ekipet e shpëtimit kanë gjetur 16 trupa të pajetë në vendin ku u gjetën rrënojat e avionit të vogël të pasagjerëve, me 22 persona nga qyteti turistik i Nepalit, Pokhara, sot në mëngjes, njoftuan autoritetet e aviacionit civil, raporton Anadolu Agency (AA).
Deo Chandra Lal, zëdhënës i Autoritetit të Aviacionit Civil të Nepalit, tha për AA se gjashtë persona janë ende të zhdukur, ndërsa operacionet e shpëtimit janë ende duke u zhvilluar.
Zëdhënësi i ushtrisë sot në mëngjes njoftoi se trupat e kërkim-shpëtimit kanë lokalizuar fizikisht vendin e rrëzimit të avionit.
Avioni privat i Tara Air i Nepalit, ishte zhdukur menjëherë pasi u ngrit të dielën nga qyteti turistik Pokhara.
Në bordin e avionit 9N-AET Twin Otter, i cili po udhëtonte për në zonën Jomsom në Nepalin perëndimor, kishte 19 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.
Operacionet e kërkim-shpëtimit rifilluan sot në mëngjes pasi ato u ndaluan të dielën në mbrëmje për shkak të motit të pafavorshëm dhe humbjes së dritës së ditës, thanë zyrtarët.
Ambasada indiane në Nepal tha të dielën se katër shtetas indianë ishin në mesin e pasagjerëve në bordin e avionit.