Ayhan Şimşek
24 Nëntor 2021•Përditësim: 24 Nëntor 2021
Rastet ditore të koronavirusit të ri (COVID-19) në Gjermani kanë shënuar një rekord të ri, respektivisht 66.884 raste të tjera, shifër më e lartë njëditore që nga shpërthimi i pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave zyrtare, vdekjet nga koronavirusi po ashtu janë në rritje, pasi vendi regjistroi 335 viktima brenda 24 orëve të fundit.
Instituti Robert Koch konfirmoi 685.100 raste aktive me COVID-19, duke shënuar një nivel të ri në valën e katërt aktuale të pandemisë.
Numri i pacientëve me COVID-19 në spitale dhe njësitë e kujdesit e intensiv është rritur në mënyrë dramatike, duke detyruar shumë spitale të shtyjnë operacionet jo kritike.
Shumë spitale në zonat më të goditura nga koronavirusi në rajonet lindore dhe jugore të vendit kanë mbetur pa shtretër në njësitë e kujdesit intensiv dhe kanë filluar të transferojnë pacientë të rinj në qytete dhe shtete të tjera.
Sipas shoqatës DIVI për mjekësinë urgjente, 3.987 pacientë të prekur nga koronavirusi janë të shtrirë në njësitë e kujdesit intensiv në mbarë vendin, prej të cilëve 2.042 janë në ventilatorë.
Autoritetet gjermane imponuan masa të ashpra këtë javë, veçanërisht për të pa vaksinuarit.
Duke filluar nga sot, shumë shtete federale kërkojnë që pasagjerët e transportit publik të vaksinohen ose të kenë kaluar virusin ose të posedojnë testin negativ.
Sipas "rregullit 3G", punonjësit në vendin e punës duhet të paraqesin dëshmi të vaksinimit, shërimit nga virusi ose testin negativ.
Disa shtete federale, përfshirë Brendenburg, Saxony dhe Bavaria, anuluan tregjet e Krishtlindjeve dhe urdhëruan mbylljen e bareve dhe klubeve në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit.
Në shumicën e shteteve zbatohet "rregulli 2G" dhe vetëm ata që janë vaksinuar ose shëruar nga COVID-19 lejohen të hyjnë në ambiente të brendshme të ngrënies apo kulturore.