Ekip
25 Gusht 2021•Përditësim: 26 Gusht 2021
Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka bërë të ditur se vendi është në bisedime me talebanët për një zgjatje të afatit të 31 gushtit për evakuimet nga Afganistani, raporton Anadolu Agency (AA).
Komenti erdhi mes raporteve të mediave se ushtria gjermane dëshiron të ndalojë evakuimet nga Kabuli këtë të premte.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christofer Burger, në një konferencë për media në Berlin tha se zyrtarët gjermanë po bisedojnë me përfaqësuesit talebanë në kryeqytetin e Katarit, Doha për të siguruar që afganët të mund të largohen nga vendi pas 31 gushtit.
"Ne nuk po flasim vetëm me talebanët për këtë çështje, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë", tha ai.
Sipas Burgerit, një opsion në shqyrtim është se evakuimet mund të vazhdojnë përmes sektorit civil të aeroportit në kryeqytetin Kabul.
Më herët, një raport nga portali gjerman i lajmeve Business Insider citoi zyrtarë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Jashtme që thoshin se Gjermania do të ndalojë transportimin e njerëzve nga Kabuli në mënyrë të menjëhershme.
Vendimi thuhet se lidhet me planin e presidentit amerikan Joe Biden për t'iu përmbajtur afatit të 31 gushtit.
Kancelarja Angela Merkel pranoi dje se Gjermania mund të vazhdojë evakuimet nga Kabuli vetëm me ndihmën e SHBA-së.
Besohet se ka pak shpresë në qeverinë Merkel për një lloj zgjatjeje pas deklaratës së Biden-it.
Ushtria gjermane ka tërhequr më shumë se 4.850 njerëz nga Afganistani deri më tani, por mijëra afganë të tjerë që ndihmuan vendin mbetën të bllokuar me pak shanse për t'u transportuar.
Sipas raportit të Business Insider, NATO gjithashtu njoftoi brenda disa ditësh më parë se evakuimi i qytetarëve perëndimorë dhe punëtorëve afganë duhet të përfundojë të shtunën.
Idja e shfaqur kohët e fundit nga disa vende të grupit G7 për të mbajtur hapur pjesës civile të aeroportit të Kabulit është vështirë e realizueshme, duke pasur parasysh situatën e përkeqësuar politike dhe të sigurisë në Afganistan.
Talibanët kanë thënë se afati i 31 gushtit për tërheqjen e forcave perëndimore është një "vijë e kuqe", duke paralajmëruar pasoja.