Seyit Ahmet Aytaç
30 Janar 2019•Përditësim: 31 Janar 2019
CARACAS (AA) – Gjykata e Lartë e Venezuelës ndaloi largimin nga vendi dhe bllokoi të gjitha burimet financiare të udhëheqësit të opozitës dhe presidentit të vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjyqtari Maikel Moreno deklaroi se kanë filluar hetimet dhe se ndaj Guaidos është vendosur masa e ndalesës që synon mbrojtjen e integritetit të shtetit.
Më parë prokurori venezuelas, Tarek Saab, kishte kërkuar nga gjykata të ndalojë Guaidon që të largohet nga vendi dhe nisjen e hetimeve kundër tij.
Venezuela është skenë e protestave masive të udhëhequra nga opozita e cila ka shumicën në parlamentin e vendit.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, mbështeti opozitën e Venezuelës dhe udhëheqësin e saj Juan Guaido, i cili më 23 janar shpalli veten president të përkohshëm të shtetit. Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, opozitën e Venezuelës për marrjen e pushtetit e kanë mbështetur Izraeli, Brazili, Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panamaja dhe Paraguai.
Nga ana tjetër, Turqia, Irani, Rusia, Kina, Bolivia, Meksika, Kuba dhe disa vende të tjera vazhdojnë të njohin legjitimitetin dhe mbështesin presidentin e zgjedhur të Venezuelës Nicolas Maduro.