Muhammed Emin Canik
30 Janar 2019•Përditësim: 30 Janar 2019
BUENOS AIRES (AA) - Numri i të vdekurve si pasojë e shembjes së një dige të mbeturinave minerare që ndodhi të premten në Brazil, është rritur në 84, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në shtypin e Amerikës Latine, zyrtarët kanë njoftuar se është rritur në 84 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së digës të mbeturinave minerare në qytetin Brumadinho të rajonit Minas Gerais, në jugperëndim të Brazilit.
Në tragjedinë e cila ka shkaktuar derdhjen e rreth 13 milionë mbeturinave njoftohet se deri më tani janë shpëtuar 192 persona dhe po bëhen përpjekje për gjetjen e 276 personave të humbur. Ndërkohë është vërtetuar identiteti i 42 prej 84 personave që kanë humbur jetën.
Në lidhje me ngjarjen u ndaluan 5 inxhinierë të kompanisë për mbeturinat minerare Vale SA, nga të cilët 3 prej tyre u arrestuan.
Për shkak të shembjes së digës në qytetin Brumadinho u evakuuan rreth 3 mijë persona. Ndërkohë që kompania minerare Vale SA kishte njoftuar se do të japë 26 mijë e 400 dollarë familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre në aksident.
Një tjetër digë e minierave e menaxhuar nga Vale SA dhe Australia BHP Billton po ashtu u shemb në vitin 2015, duke lënë të vdekur 19 persona dhe duke lënë pastrehë qindra të tjerë në qytetin Mariana të shtetit Minas Gerais.