Hakan Çopur
09 Janar 2020•Përditësim: 09 Janar 2020
Një nga senatorët kryesorë të republikanëve, Lindsey Graham, ka deklaruar se procedurat e gjykimit në Senat lidhur me shkarkimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, do të fillojnë javën e ardhshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Senatori Graham ka folur për kanalin amerikan "Fox News" ku ai kritikoi mosdërgimin në Senat të dy neneve për shkarkimin e presidentit Trump pas plotësimit të procesit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ai këtë situatë e cilësoi si një "lojë" të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
"Tashmë diga e Pelosit për shkarkim po shembet. Duke mos dërguar në Senat nenet e shkarkimit po humbasin edhe demokratët në Senat. Mitch McConnell e ka kryer shumë mirë këtë proces. Javën e ardhshme do të fillojmë procesin e gjykimit për kërkesën e shkarkimit", deklaroi Graham.
Senatori McConnell, lideri i shumicës së republikanëve në Senat, dje në një deklaratë tha se "po punojnë për të përcaktuar rregullat lidhur me gjykimin" në mënyrë që të mund të menaxhojnë procesin e shkarkimit të Trumpit në Senat dhe ta përfundojnë atë sa më shpejtë të jetë e mundur.
Hetimi për shkarkimin e Trumpit
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, demokratja Nancy Pelosi, më 24 shtator 2019 tha se kanë filluar hetimin për shkarkimin e Trumpit me arsyen se "ka dëmtuar sigurinë kombëtare të SHBA-ve" dhe se "ka tradhtuar betimin presidencial".
Pelosi ka pretenduar se gjatë një bisede telefonike në korrik, Trump i ka vendosur presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si kusht hetimin e rivalit Joe Biden dhe familjes së tij në mënyrë që SHBA-ja të ndihmojë Ukrainën dhe se kjo gjë është në kundërshtim me kushtetutën.
Më pas, Shtëpia e Bardhë më 25 shtator publikoi transkriptin e bisedës telefonike Trump-Zelensky duke mbrojtur mendimin e saj se nuk ka asnjë lidhje mes ndihmës dhe bisedës.
Në një votim të zhvilluar më 31 tetor në Dhomën e Përfaqësuesve u miratuan procedurat për hetimin e shkarkimit dhe u vendos që seancat të ishin publike. Ndërkoqë seancat publike në Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve u zhvilluan gjatë periudhës 13-21 nëntor ku gjithsej 12 zyrtarë nga Departamenti i Shtetit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Pentagoni dhanë deklarata gjatë këtij procesi.
Komiteti i Inteligjencës për opinionin publik shpalosi raportin prej 300 faqesh ku akuzohet Trump ndërsa raportin në fjalë më 3 dhjetor e dërgoi në Komitetin e Drejtësisë. Komiteti i Drejtësisë pas dy seancave më 13 dhjetor miratoi nenet e shkarkimit dhe e dërgoi dosjen në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Pas miratimit më 18 dhjetor në Dhomën e Përfaqësuesve, drafti në fjalë këtë herë pritet të shkojë në Senat në të cilin shumicën e kanë republikanët dhe më pas do të fillojë procesi i gjykimit ndaj presidentit Trump.