Derya Gülnaz Özcan, Tevfik Durul
15 Shtator 2021•Përditësim: 15 Shtator 2021
Një ekip i Forcave të Armatosura të Greqisë është nisur drejt Arabisë Saudite për të dërguar baterinë e udhëzuar të mbrojtjes ajrore që përdoret në sistemet raketore Patriot, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Shtabi i Përgjithshëm i Greqisë thuhet se në ceremoninë e mbajtur me rastin e dërgimit të baterisë së mbrojtjes ajrore që do t'i dërgohet Arabisë Saudite morën pjesë ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos, zv.ministri i Mbrojtjes Nikos Hardalias dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Konstantinos Floros.
Floros në një fjalim në ceremoni e ka cilësuar historik këtë hap që, sipas tij, do të kontribuojë në paqen dhe sigurinë e botës.
Duke rikujtuar edhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake të zhvilluara kohët e fundit mes Arabisë Saudite dhe Greqisë, Floros mbrojti idenë se bashkëpunimi mes dy vendeve do të sigurojë kontribut në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme.
Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues diplomatik të Arabisë Saudite, Kuvajtit dhe SHBA-së në Athinë.
- Greqia mbështetjen e saj të mbrojtjes e premtoi në prill 2021
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe ministri i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos gjatë një vizite në Arabinë Saudite në prill 2021 nënshkruan marrëveshje mes dy vendeve lidhur me furnizimin e Arabisë Saudite me bateritë e udhëzuara të mbrojtjes ajrore.
Lidhur me marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve Panagiotopoulos ka thënë se "Në kuadër të kësaj një sistem i mbrojtjes ajrore Patriot që u përket forcave tona ajrore së shpejti do të pozicionohet dhe do të vendoset në funksion në territorin e Arabisë Saudite".
Ndërsa Dendias vuri në dukje se Greqia ka forcuar bashkëpunimin e saj me Arabinë Saudite në fushën e diplomacisë dhe të mbrojtjes. "Kjo për vendin tonë përbën një përparim të madh në bashkëpunimin tonë me vendet e Gjirit", ka theksuar ai.