Betül Yürük
12 Shtator 2018•Përditësim: 12 Shtator 2018
KOMBET E BASHKUARA (AA) – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u bëri thirrje Turqisë, Rusisë dhe Iranit që të parandalojnë luftën në Idlib dhe të mos e humbin asnjë përpjekje për mbrojtjen e civilëve në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Guterres në një deklaratë për media në Qendrën e Përgjithshme të OKB-së tha se në Idlib shumë gjëra janë në rrezik dhe ka paralajmëruar se nëse nuk shmanget një luftë e gjerë në Sirinë e gjakosur, atëherë sipas tij, mund të përjetohet një fatkeqësi njerëzore e paparë më parë.
Ai rikujton se gjysma e 3 milionë njerëzve që jetojnë në Idlib, më parë janë detyruar të zhvendosen nga vendet e tyre. "Jeta e tyre u shkatërrua dhe nuk kanë asnjë vend ku do të shkonin", tha Guterres.
Kreu i OKB-së, vuri në dukje se Idlibi është zona e fundit jokonfliktuale dhe nuk duhet të shndërrohet në një vaskë gjaku.
Sipas tij, gjendja aktuale në Idlib nuk është e qëndrueshme dhe se nuk mund të lejohet prania e terroristëve në këtë vend. Ai nënvizoi se nuk duhet të harrohen detyrimet ndërkombëtare përderisa luftohet me terrorizmin.
Guterres thotë se u bën thirrje të hapur në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjitha palëve, sidomos Turqisë, Rusisë dhe Iranit që të parandalojnë luftën në Idlib dhe të mos humbin asnjë përpjekje për mbrojtjen e civilëve.
Ai thotë se në çdo rast do të përsëritë mesazhin për gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën në Siri. "Është përgjegjësia jonë e përbashkët që t'i mbrojmë këta njerëz që kanë vuajtur shumë", tha Guterres.