Agim Sulaj
13 Prill 2023•Përditësim: 13 Prill 2023
Dëshmitari i parë i thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e Gjykatës Speciale me seli në Hagë dëshmoi këtë javë me masa mbrojtëse, kryesisht në seancë private në gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, transmeton Anadolu.
Siç njoftojnë Dhomat e Specializuara (DHS), dëshmitari u mor në pyetje nga Prokuroria dhe në vijim iu bënë pyetje edhe nga ekipet e Mbrojtjes.
"Të gjitha gjykimet para DHS-së janë publike; megjithatë gjykatësit ndonjëherë vendosin ta kryejnë një pjesë të seancës së gjykimit në atë që njihet si seancë private, ose të redaktojnë informacione të caktuara për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave", njofton gjykata.
Sipas DHS-së, vendimi për t'i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti dhe gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve.
Gjykata sqaroi se edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t'i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre. Paraqitja e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë të hënën e ardhshme, 17 prill, në orën 9 paradite.
Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë, ndërsa dëshmitarët e parë do të jenë gjithsej 12, por, jo të gjithë parashihet që të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar pasi ZPS-ja vetëm në disa raste do të mbështetet në dëshmitë e dëshmitarëve.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.