Ekip
07 Shkurt 2016•Përditësim: 08 Shkurt 2016
GAZË (AA) – Zyrtarët e lëvizjes palestineze Hamas dhe Fatah do të takohen sot në kryeqytetin e Katarit Doha për të diskutuar mbi zbatimin e marrëveshjes së vitit 2014 për pajtim dhe krijimin e një qeverie të bashkuar palestineze, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kjo marrëveshje ka për qëllim të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm për zbatimin e asaj që jemi dakorduar", tha për AA zëdhënësi i Hamasit në Gazë, Sami Abu Zuhri.
Delegacionet e Hamasit dhe Fatahut në takimin e Dohas udhëhiqen nga Moussa Abu Marzouq dhe Azzam al-Ahmed.
Më parë, zyrtari i Fatah, Jamal Muhassan për AA tha se delegacionet e dy lëvizjeve palestineze deri më tani janë takuar disa herë në Turqi dhe Katar.
Hamas dhe Fatah në prill të vitit 2014 kanë nënshkruar një marrëveshje historike për pajtim dhe për të kapërcyer mosmarrëveshjet brenda bllokut palestinez.
Marrëveshja ka për qëllim krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar dhe organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Palestinë.
Qeveria e unitetit kombëtar u nënshkrua dy muaj pas marrëveshjes, por ende nuk është marrë pushteti në Rripin e Gazës i cili kontrollohet nga Hamasi, kurse të dy lëvizjet vazhdojnë të kenë një sërë mosmarrëveshjesh në lidhje me të ardhmen palestineze.