İdiris Okuduci
30 Qershor 2021•Përditësim: 01 Korrik 2021
Izraeli hapi konsullatën e tij në qytetin e Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së konsullatës në Dubai, pas hapjes së ambasadës së vendit të tij dje në kryeqytetin Abu Dhabi.
Duke bërë një fjalim të shkurtër pas ceremonisë, Lapid tha se, "Ne po mësohemi të shkruajmë histori. Kjo konsullatë nuk është një vend simbolik. Është një vend i jetës, turizmit dhe biznesit".
Sipas lajmeve në mediat e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, ceremonia e hapjes u shoqërua nga ministri i Shtetit i Emirateve të Bashkuara Arabe për Ekonominë Digjitale, Omar Sultan al-Olama.
Duke theksuar se marrëdhëniet midis dy vendeve janë zhvilluar në të gjitha fushat, ministri i Emirateve të Bashkuara Arabe tha se, "Ne do ta çojmë bashkëpunimin tonë dypalësh në nivelin tjetër për të shërbyer si një model për vendet e tjera".
Lapid është ministri i parë izraelit që vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe pas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Tel Avivit dhe Abu Dhabit, nënshkruar në shtator 2020. Ai gjithashtu mori pjesë dje në ceremoninë e hapjes së ambasadës së Izraelit në Abu Dhabi.