Vesna Besiç
24 Dhjetor 2015•Përditësim: 25 Dhjetor 2015
SARAJEVË (AA) - Në praninë e një numri të madh të qytetarëve dhe zyrtarëve sot u bë hapja solemne e sheshit të rindërtuar të Bashçarshisë së Sarajevës, raporton Anadolu Agency (AA).
Projekti i cili filloi në shtator të këtij viti, me vlerë rreth 1.2 milionë marka konvertibile (600 mijë euro), u financua nga komuna Stari Grad-Sarajevë dhe komuna e binjakëzuar Osmangazi-Bursa nga Republika e Turqisë. Implementues i projektit ishte Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Duke iu drejtuar të pranishmëve në hapjen e sheshit të rindërtuar, kryetari i komunës Stari Grad, së cilës i takon Bashçarshia, Ibrahim Haxhibajriç tha se rinovimi i sheshit të Bashçarshisë ka përfunduar përpara afatit, që ishte paraparë më 28 janar.
"Me këtë projekt ka përfunduar rindërtimi i bërthamës së brendshme të qytetit të vjetër. Kjo ka zbukuruar komunën tonë, qytetin dhe vendin tonë", tha Haxhibajriç.
Kryetari i komunës së Bursës Osmangazi, Mustafa Dundar, si dhe delegacioni i TIKA-s, nuk arritën në hapjen e sotme për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Në emër të kryetarit të komunës së Bursës foli këshilltari i tij Mustafa Sevinc.
"Komuna Osmangazi ka marrë pjesë në disa projekte në rajonin e Stari Grad-it, njëra prej të cilave është çezmja e cila ndodhet në Xhaminë 'mbret', pastaj xhamia Bakrbaba", tha Sevinc.
Realizimi i projektit të rindërtimit të sheshit të Bashçarshisë filloi në shtator dhe përfundoi në dhjetor. Rindërtimi është bërë për shkak të përkeqësimit të instalimeve nëntokësore dhe dëmtieve të mëdha të pllakave të gurit mbi sipërfaqen e sheshit, të cilat nuk janë ndërruar për mbi 30 vjet.