Muhammed Bilal Kenasari
08 Mars 2017•Përditësim: 08 Mars 2017
WASHINGTON (AA) - Avokatët të cilët përfaqësojnë shtetin e Hawait kanë deklaruar se po përgatiten të dërgojnë kërkesë deri tek Gjykata Federale për ndalimin e dispozitës së presidentit amerikan Donald Trump që parasheh kufizim vizash për shtetasit e gjashtë vendeve me shumicë muslimane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Neal Katyal, njëri nga avokatët e shtetit, duke folur për kanalin CNN, tha se kufizimin e vizave nga Donald Trump do ta dërgojnë në gjykatë.
Katyal theksoi se dëshirojnë të jenë të sigurtë se dokumenti i ri i nënshkruar nga Trump do të prekë më pak persona në krahasim me pararendësin. "Edhe kufizimi i ri i vizave ka probleme kushtetuese sikurse i mëparshmi", shtoi Katyal.
Ndërkaq, bëhet e ditur se shteti i Hawait të mërkurën do ta dërgojë dosjen zyrtarisht në Gjykatën Federale.
Ndryshe, në deklaratën me shkrim të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me dispozitën e re të nënshkruar nga Trump këtë javë, thuhej se shtetet për të cilat është sjellë kufuzim janë Irani, Siria, Somalia, Sudani, Jemeni dhe Libia, ndërsa Iraku është hequr nga kjo listë.
Krahas kësaj, u njoftua se SHBA-të nuk do të pranojnë refugjatë nga asnjë shtet në një periudhë prej katër muajve. Dispoizta e re do të fillojë të zbatohet që nga data 16 mars.
Dekretin e parë për kufizimin e vizave presidenti Trump e nënshkroi më 27 janar. Pas këtij dekreti, gjykatësi federal James Robart në Seattle të shtetit të Washingtonit pezulloi në tërë vendin ndalesën e udhëtimit për shtatë shtetet me shumicë të popullsisë muslimane.