Ahmet Karaahmet,Mehmet Burak Karacaoğlu,Ethem Emre Özcan
17 Dhjetor 2024•Përditësim: 18 Dhjetor 2024
Mbrojtja Civile Siriane, e njohur edhe si "Helmetat e Bardha", ka filluar hetimin e një varri masiv të zbuluar të martën pranë lagjes së Damaskut të quajtur "Ura e Bagdadit", raporton Anadolu.
Varri masiv, i dokumentuar nga Anadolu, përmban llogore të mbushura me mbetje njerëzore dhe thasë të shënuar me kode burgu, që tregojnë se viktimat mund të kenë vdekur për shkak të torturave, ose në burgje famëkeqe si Sednaya.
Pas zbulimit të zymtë, ekipet e Helmetave të Bardha filluan sigurimin e vendit dhe gjetjen e mbetjeve, të cilat mendohej se ishin viktima të torturave brutale të regjimit të Asadit.
Varri masiv është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të kërkimit dhe rikuperimit në Siri, pas rënies së regjimit të Partisë Baath më 8 dhjetor.
Ammar Selmo, një anëtar i Bordit Ekzekutiv të Mbrojtjes Civile Siriane, tha për Anadolu se ata u mobilizuan pasi morën raporte për mbetje njerëzore.
"Ky lokacion është thellësisht shqetësues, vërtet e tmerrshme", tha Selmo, duke shtuar:
"Ai pasqyron gjendjen e Sirisë. Është kthyer në një varr masiv të organizuar. Trupat u varrosën pa respekt, u gjetën të hedhura në thasë mielli".
Gjetjet fillestare sugjerojnë se eshtrat mund të jenë ato të të arrestuarve, megjithëse identitetet e tyre ende nuk janë konfirmuar, vuri në dukje Selmo.