Selman Aksünger
20 Dhjetor 2021•Përditësim: 20 Dhjetor 2021
Në kuadër të luftës kundër COVID-19 në Holandë janë vendosur disa kufizime të udhëtimeve për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga qeveria e Holandës thuhet se janë marrë masa shtesë në parandalimin e variantit Omicron të COVID-19.
Sipas kësaj, që nga 22 dhjetori të gjithë udhëtarët mbi 12-vjeç që do të udhëtojnë në Holandë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian dhe zonës Schengen janë të detyruar të paraqesin testin me rezultatin negativ.
Gjithashtu edhe udhëtarët që posedojnë pasaportën e vaksinimeve, për të udhëtuar nga zona Schengen për në Holandë duhet të paraqesin testin negativ PCR të kryer 48 orë përpara fluturimit ose testin negativ të antigjenit të kryer 24 orë më parë.
Karantinë e detyrueshme për udhëtarët nga Britania
Për udhëtarët të cilët mbërrijnë në Holandë nga vendet me rrezik shumë lartë përfshirë edhe Britaninë e Madhe do të zbatohet karantinë e detyrueshme 10 ditore.
Karantinës do t'i nënshtrohen edhe udhëtarët që vijnë nga vendet me rrezik shumë të lartë të cilët posedojnë pasaportë të vaksinimit.
Karantina përfundon pa u përmbushur afati i saj 10 ditorë në rast se rezulton negativ testi që do të kryhet në ditën e 5-të të karantinës së detyrueshme.
Qeveria holandeze ka bërë të ditur se vazhdon ndalesa e udhëtimit që ka vendosur për shkak të variantit të ri Omicron për Republikën e Afrikës së Jugut, Botsvanën, Esvatinin, Malavin, Namibinë dhe Zimbabven.
Me masat që hynë dje në fuqi në Holanda kaloi në zbatimin e mbylljes së plotë deri më 14 janar.