Tevfik Durul,Büşra Selvi Öğütcen
19 Nëntor 2019•Përditësim: 20 Nëntor 2019
Në rajonin autonom të Kinës, Hong Kong janë arrestuar 400 protestues mbi 18 vjeç të cilët dolën nga Universiteti Politeknik (Polytechnic) ku protestuesit vazhdojnë pushtimin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, në një deklaratë pas takimit javor të Bordit Ekzekutiv tha se nga Universiteti Politeknik në ditën e tretë të pushtimit kanë dalë 600 protestues nga të cilët 200 nën moshën 18 vjeç.
Nga protestuesit janë arrestuar 400 prej tyre, tha Lam duke shtuar se personat nën 18 vjeç nuk janë arrestuar por se më pas mund të përballen me gjykim.
Gjithashtu Lam ka bërë të ditur se për të përfunduar të gjithë operacionin në një mënyrë paqësore do të bëjnë çfarë është e nevojshme që nga kampusi të nxirret edhe pjesa tjetër e studentëve.
Në pyetjen nëse do të kërkohet apo jo ndihmë nga ushtarët kinezë në Hong Kong, Lam tha se janë të sigurtë që qeveria mund të përballojë situatën.
Ndërkohë njoftohet se 100 protestues në Universitetin Politeknik vazhdojnë të presin nën rrethimin e policisë.
Në mesin e të arrestuarve ndodhet një shtetas japonez
Zëdhënësi i qeverisë së Japonisë, Suga Yoshihide, deklaroi se në mesin të arrestuarve ndodhet një shtetas japonez rreth moshës 20 vjeç.
Media japoneze ka njoftuar se personi në fjalë është Hikaru Ida, student në Universitetin e Bujqësisë në Tokio.
Ndërkohë që edhe ministri i Jashtëm japonez, Motegi Toshimitsu ka ndarë inforacionin se ky person ishte si turist në Hong Kong.
Vala e dhunës në protestat e zhvilluara në Hong Kong
Në protestat që po zhvillohen që nga vera e deri më tani në Hong Kong, në javët e fundit janë rritur ngjarjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Protestuesit në fillim të javës së kaluar pushtuan qendrat e qytetit dhe kampuset universitare.
Forcat e sigurisë arritën të marrin nën kontroll shumicën e më shumë se 10 kampuseve universitare që pushtuan studentët dhe protestuesit. Ndërkohë që pushtimi ishte në vazhdim vetëm në Universitetin Politeknik.
Për shkak të pushtimit që filloi në universitete në fillim të javës së kaluar, shumë universitete njoftuan se në dy muajt e fundit të vitit 2019 nuk do të zhvillohen mësimet ku dhe qindra studentë të huaj u larguan nga Hong Kongu.
Sipas të dhënave zyrtare, që nga qershori deri më tani janë arrestuar mbi 4.000 protestues.