Emre Aytekin
29 nëntor 2019•Përditësim: 29 nëntor 2019
Në rajonin autonom të Kinës, Hong Kong, policia i dha fund rrethimit që vazhdonte prej 12 ditësh në kampusin e Universitetit Politeknik ku mbaheshin prostesta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit në gazetën "South China Morning Post", mësohet se ekipet e policisë sot paradite hoqën kordonin rrethues përreth universitetit.
Zv.drejtori i policisë, Chow Yat-ming njoftoi se ekipet e policisë përfunduan punimet për pastrimin e mjeteve dhe produkteve të rrezikshme shpërthyese pasi hyri dje për herë të parë në universitetin ku ishin vendosur protestuesit.
"Policia gjatë kërkimeve në universitet nuk ka vërjetur ndonjë protestues dhe nuk ka kryer procese arrestimi", tha Chow i cili shtoi më tej se policia do t‘ia dorëzojë kontrollin e kampusit administratës së shkollës para orëve të drekës.
Ndërkohë, Chow ka theksuar se pas heqjes së rrethimit, rrugët përreth kampusit do të rihapen sërish për trafikun.
Janë gjetur më shumë se 4.000 bomba molotov
Gjatë kërkimeve që policia ka zhvilluar prej dy ditësh thuhet se janë konfiskuar 4.080 bomba molotov të lëna nga protestuesit, 921 bidonë gazi dhe 588 shishe me lëndë acidi dhe kimikate të tjera.
Po ashtu janë vërejtur edhe 44 automjete të dëmtuara që ndodheshin të parkuara brenda kampusit.
Rrethimi i policisë në universitet vazhdonte që prej 17 nëntorit e deri më tani. Gjatë rrethimit u nxorrën nga kampusi rreth 1.100 protestues nga të cilët 800 prej tyre u arrestuan ndërsa 300 të tjerë u liruan për shkak se ishin nën moshën 18-vjeç.
Protestuesit kishin okupuar kampuset universitare
Në protestat që po zhvillohen që nga vera e deri më tani në Hong Kong, në javët e fundit u rritën ngjarjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Protestuesit më 12 nëntor filluan pushtimin e rrugëve të universitetit në qendrat e qytetit dhe kampuset universitare.
Forcat e sigurisë arritën të marrin nën kontroll shumicën e më shumë se 10 kampuseve universitare që pushtuan studentët dhe protestuesit. Ndërkohë që okupimi ishte në vazhdim vetëm në Universitetin Politeknik.
Për shkak të okupimit shumë universitete njoftuan se në dy muajt e fundit të vitit 2019 nuk do të zhvillohen mësimet ku dhe qindra studentë të huaj u larguan nga Hong Kongu.
Sipas të dhënave zyrtare, në protestat që vazhduan nga qershori e deri më tani janë arrestuar rreth 5.000 protestues.