Mahmoud Barakat
02 Korrik 2019•Përditësim: 03 Korrik 2019
Të paktën 9 persona u plagosën në një sulm me dron nga Jemeni të kryer sot ndaj një aeroporti në pjesën jugore të Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Një sulm terrorist ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar Abha", tha zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, koloneli Turki al-Maliki, në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare e lajmeve SPA.
Al-Maliki akuzoi rebelët Huthi për sulmin ndaj aeroportit, që është sulmi i tretë në tre javët e fundit.
Nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite thonë se 8 shtetas të saj dhe një shtetas indian u plagosën në këtë sulm.
Nga ana tjetër, rebelët Huthi kanë konfirmuar sulmin, duke thënë se i njëjti ka shkaktuar ndërprerje të trafikut ajror në aeroportin e Arabisë Saudite.
Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014 kur rebelët Huthi morën pjesën më të madhe të shtetit, përfshirë edhe kryeqytetin Sana.
Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një fushatë shkatërruese ajrore e cila synonte që të rimarrë nën kontroll territoret e pushtuara nga rebelët Huthi.