Gamze Türkoğlu Oğuz
21 Janar 2019•Përditësim: 22 Janar 2019
HELSINKI (AA) - Diplomatët jugkoreanë dhe amerikanë do të takohen me homologët e tyre verikoreanë në mbledhjen e një grupi ekspertësh ndërkombëtarë në Suedi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Suedisë, Buster Mirow Emitslof, në një deklaratë për Associated Press (AP), tha se diplomati jugkorean Lee Do-hoon dhe përfaqësuesi special i SHBA-së përgjegjës për negociatat me Korenë e Veriut, Steve Biegun, do të takohen me zëvendësministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut, Choe Son Hui, i cili ka arritur në Suedi të premten e kaluar.
Nikoqir i takimit do të jetë qeveria suedeze dhe Instituti Ndërkombëtar për Hulumtime të Paqes në Stokholm (SIPRI), ndërsa nuk u dhanë informacione të detajuara rreth kohës dhe vendit.
Agjencia suedeze e lajmeve TT bëri të ditur se takimi i cili ka filluar në një qendër konferencash në Liqenin Malaren në veriperëndim të Suedisë, do të vazhdojë deri më 22 janar.
Ndërkaq, agjencia Kyodo, duke cituar Ministrinë e Jashtme japoneze, raportoi se diplomatët japonezë planifikojnë të takohen me përfaqësuesin special të SHBA-së Biegun.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe homologu i tij jugkorean Kang Kyung Hwa kanë zhvilluar një bisedë telefonike për të shkëmbyer mendimet në lidhje me samitin e planifikuar mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut.
Sipas agjencisë Kyodo, palët kanë rënë dakord që të vazhdohet kontakti i afërm për çarmatimin bërthamor të Gadishullit Korean dhe sigurimin e "një përparimi novator" për paqen e përhershme.
Siç është njoftuar, samiti i dytë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit verikorean Kim Jong-un do të mbahet në fund të muajit shkurt.
Trump dhe Kim Jong-un për herë të parë u takuan më 12 qershor të vitit të kaluar në Singapor. Dy liderët pas samitit kishin arritur marrëveshje për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut.