Haydar Hadi
30 Nëntor 2017•Përditësim: 30 Nëntor 2017
BAGDAD (AA) – Qeveria e Irakut ka mohuar pretendimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë vendosur forcat e tyre ushtarake në Kirkuk, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Komanda e Operacioneve të Përbashkëta të Ministrisë së Mbrojtjes të Irakut thuhet se “Disa organe mediatike kanë publikuar lajmin nga burimet e rajonit të Kurdistanit (ARK) se forcat amerikane kanë lëvizur drejt Kirkukut. Lajmet e tilla janë plotësisht të pavërteta”.
Në deklaratë thuhet se nuk ka asnjë rritje të forcave të koalicionit në Kirkuk ose në ndonjë vend tjetër të Irakut. “Kontrolli i terrenit nuk është nën autoritetin e forcave të huaja dhe për këtë nuk mjafton as numri e as forca e tyre”, thuhet më tej.
“Siguria e Kirkukut është çështje kombëtare e Irakut dhe kjo është nën kontrollin e forcave federale dhe policisë së Kirkukut. Detyra e forcave të koalicionit është e kufizuar me trajnim, konsulencë dhe mbështetje logjistike", qëndron në deklaratë.
Deputeti i Parlamentit të Irakut nga Uniteti i Atdhedashësve të Kurdistanit (KYB) Muhammed Osman ka pretenduar se në Kirkuk do të themelohet komanda e operacioneve të përbashkëta nën kryesimin e SHBA-ve, ku do të marrin pjesë edhe forcat kurde.
Ai ka thënë se janë ndërmarrë hapat e parë për themelimin e komandës së operacioneve të përbashkëta. Osman pretendonte se forcat e SHBA-ve kanë filluar të vendosen në Bazën Ushtarake K1, e cila ndodhet në jug të Kirkukut.