Ekip
08 Dhjetor 2020•Përditësim: 08 Dhjetor 2020
Kryetari i Parlamentit i Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, ka bërë të ditur se edhe pse qeveria vazhdon ta kundërshtojë, "plani strategjik i veprimit" i vendit të tij për të kundërshtuar sanskionet e SHBA-ve është kthyer në ligj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeparlamentari iranian lëshoi një letër tek kreu i gazetës zyrtare, duke i kërkuar atij të publikojë ligjin që synon "të mbrojë interesat e popullit të Iranit".
Kjo vjen pasi presidenti Hassan Rouhani refuzoi të nënshkruajë projekt-ligjin e diskutueshëm të quajtur "Veprimi strategjik për heqjen e sanksioneve", ndërsa qeveria e tij bëri thirrje për konsensus për atë që tha se është një "çështje e rëndësishme".
Sipas ekspertëve ligjorë, sapo projekt-ligji të kalojë nëpër të gjitha proceset ligjore, nga presidenti kërkohet që ta miratojë atë dhe të njoftojë zbatimin e saj.
Megjithatë, nëse presidenti nuk e nënshkruan legjislacionin në periudhën e kërkuar kohore, gazeta zyrtare do të jetë e detyruar ta publikojë atë me urdhër të kreut të parlamentit.
Ligjvënësit kaluan ligjin javën e kaluar dhe ai u miratua më pas nga Këshilli i Mbrojtjes, organi më i lartë i mbikëqyrjes i vendit, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të qeverisë.
Qeveria atëkohë paralajmëroi se masa, e cila erdhi si përgjigje e vrasjes së shkencëtarit iranian bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh, mund të jetë e "dëmshme" për aktivitetet diplomatike.
Duke kërkuar që qeveria të rifillojë pasurimin e uraniumit për 20 për qind dhe të rrisë rezervat e uraniumit të pasuruar, ligji po ashtu kërkon që t'i jepet fund zbatimit të Protokollit Shtesë, një marrëveshje vullnetare mbi pasurimin bërthamor midis Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe nënshkruesve të Traktatit të përhapjes, përfshirë Iranin.
Të enjten, ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Javad Zarif, tha se qeveria është kundër planit, por do të jetë e detyruar ta zbatonte atë nëse plani kalon në ligj.