Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Iran është rritur në 107, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë së vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Pesëmbëdhjetë të tjerë vdiqën nga sëmundja COVID-19 ndërsa u raportuan raste të reja në të gjithë vendin në 24 orët e fundit", tha zëdhënësi Kianoush Jahanpour në një konferencë për media në kryeqytetin iranian Teheran.
"Shifrat e fundit sollën numrin e përgjithshëm të infeksioneve në mbi 3.510", tha Jahanpour.
Ai tha se shumica e rasteve të reja u zbuluan në provincat Teheran, Qom, Gilan, Isfahan, Mazandaran dhe Markazi.
Jahanpour tha se 739 pacientë të infektuar me koronavirus u trajtuan me sukses dhe u liruan nga spitalet në të gjithë Iranin.
- Ndërpritet për 2 javë mësimi në shkolla dhe universitete
Ministri iranian i Shëndetësisë, Saeed Namaki, në një konferencë për shtyp tha se shkollat fillore, të mesme dhe universitetet në të gjithë vendin do të jenë pushim deri më 20 mars në kuadrin e masave për koronavirusin.
Namaki kërkoi nga qytetarët që pushimin të mos e vlerësojnë si një mundësi dhe të mos udhëtojnë. "Do të marrim masa të ashpra për të parandaluar vajtje-ardhjet. I lutem qytetarëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Kjo nuk është një çështje që duhet të merret lehtë. Shkalla e përhapjes dhe ndikimit të koronavirusit është shumë e lartë. Udhëtimi është shumë i rrezikshëm", paralajmëroi Namaki.
I zbuluar fillimisht në qytetin Wuhan në dhjetor, koronavirusi është përhapur në të paktën 80 vende.
Numri global i vdekjeve ka arritur në rreth 3.500 persona me më shumë se 92.000 raste të konfirmuara.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila tashmë ka shpallur shpërthimin e një emergjence ndërkombëtare shëndetësore, ngriti nivelin e rrezikut global në "shumë të lartë".