Ahmet Dursun
18 nëntor 2022•Përditësim: 18 nëntor 2022
Gjashtë pjesëtarë të tjerë të forcave të sigurisë u vranë nga sulmues të armatosur në të gjithë Iranin të enjten mes protestave gjithëpërfshirëse të cilat shpërthyen pas vdekjes së një gruaje të re në shtator, transmeton Anadolu Agency (AA).
Koloneli Hassan Yousefi po udhëtonte me një tjetër efektiv policie në qytetin veriperëndimor Sanandajt kur ata u sulmuan me thika dhe gurë, sipas "Mizan News" të lidhur me gjyqësorin.
Yousefi vdiq në vendngjarje ndërsa efektivi tjetër u shtrua në një spital lokal në gjendje kritike.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale tregohet viktima e shtrirë në rrugë me kokën e gjakosur.
Në një incident tjetër në qytetin verilindor Mashhadit, dy pjesëtarë të rinj të forcave vullnetare paraushtarake Basiji u vranë me thikë nga persona të paidentifikuar.
Sipas guvernatorit të Mashhadit, Mohsen Davari, një grup burrash të armatosur të enjten u bënë thirrje tregtarëve vendas të mbyllin dyqanet e tyre në kuadër të protestë tre-ditore për të shënuar përvjetorin e tretë të trazirave të nëntorit 2019 në Iran për çmimet e larta të karburantit.
Menjëherë pas kësaj, një grup personash që mbanin armë sulmuan forcat paraushtarake Basiji, duke vrarë me thikë dy prej tyre dhe duke plagosur tre të tjerë, tha guvernatori.
Dy të vrarët u identifikuan si Hossein Zeinalzadeh dhe Danial Rezazadeh.
Pamjet e CCTV të postuara në internet treguan një person me thikë duke goditur njërin prej tyre përpara se të godiste disa të tjerë mes një përleshjeje.
Pjesëtari i Basiji, Ibrahim Gafarian, i cili u plagos, më vonë iu nënshtrua plagëve në një spital lokal, thanë autoritetet, duke e çuar numrin e të vdekurve në tre.
Protestat disa mujore
Policia njoftoi se sulmuesi ishte arrestuar, pa dhënë identitetin e tij.
Në një incident tjetër të raportuar të enjten vonë, dy pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë në përleshjet me protestuesit e armatosur në Bukan, një qytet në provincën veriperëndimore të Azerbajxhanit Perëndimor.
Identiteti i të vrarëve nuk është bërë ende i ditur.
Këto incidente vijnë në mes të protestave disa mujore mbarëkombëtare që kanë tronditur Iranin pas vdekjes së Mahsa Aminit, e cila po mbahej në paraburgimin e "Policisë morale" të vendit.
Sulmet fatale ndaj efektivëve të policisë dhe forcave paraushtarake Basiji janë bërë gjithnjë e më të shpeshta muajt e fundit, ku raportohet për disa incidente të sulmeve me thikë dhe të shtëna në të gjithë vendin.
Të mërkurën, të paktën nëntë persona u vranë në incidente të ndara në provincën jugperëndimore Khuzestanit dhe në provincën qendrore Isfahanit, shumica e të cilëve ishin efektivë policie.
Koloneli i policisë, Reza Nasiri, i cili u plagos pasi dy persona me motoçikletë hapën zjarr në zonën Khane Esfahan të Isfahan të mërkurën mbrëma, iu nënshtrua plagëve të enjten, duke e çuar numrin e të vdekurve në tre, me shtatë viktima të tjera në Khuzestan.
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi u ka kërkuar agjencive të sigurisë që të "identifikojnë menjëherë autorët dhe drejtuesit" e këtyre sulmeve dhe t'i "nxjerrin ata para gjyqësisë".
Më shumë se 1.000 persona janë arrestuar në lidhje me protestat gjithëpërfshirëse në muajt e fundit ndërsa gjyqet kanë nisur në fillim të kësaj jave.
Në vendimet paraprake, një gjykatë në Teheran deri më tani ka shqiptuar 5 dënime me vdekje ndërsa ka shqiptuar edhe dënime me burg nga 5-10 vjet për shumë të tjerë. Aktgjykimet mund të kundërshtohen në Gjykatën e Apelit.