Muhammet Kurşun
22 Shtator 2019•Përditësim: 22 Shtator 2019
Autoritetet iraniane kanë hedhur poshtë dhe i kanë dënuar fuqishëm pretendimet e autoriteteve saudite se Teherani zyrtar qëndron drejtpërdrejt prapa sulmeve të fundit mbi fabrikën e kompanisë së naftës Aramco, transmeton Anadolu Agency (AA).
Megjithëse lëvizja rebele jemenase Huthi ka marrë përgjegjësinë për sulmet e javës së kaluar mbi objektet saudite të naftës, Rijadi zyrtarë ende pretendon se sulmet u kryen nga fluturaket iraniane dhe se Teherani është fajtori i drejtpërdrejt.
Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir dje tha se Arabia Saudite ka qenë objektiv i vazhdueshëm i sulmeve iraniane dhe se deri më tani, 260 raketa balistike të prodhuara nga Irani janë shkrepur drejt Arabisë Saudite.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi hodhi poshtë akuzat saudite të cilat i vlerësoi si të pabaza dhe tendencioze.
"Në vend që të fajësojnë të tjerët, unë këshilloj autoritetet saudite që t'i japin fund luftës në Jemen. Arabia Saudite është joreale për shkak të përpjekjes së vazhdueshme për ta portretizuar Iranin si armik", tha Mousavi.