Mustafa Melih Ahıshalı
25 Shtator 2017•Përditësim: 26 Shtator 2017
TEHERAN (AA) - Irani i ka mbyllur kufirin qeverisë rajonale kurde në veri të Irakut, njoftoi Ministria e Jashtme e Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne mbështesin integritetin territorial të Irakut. Me kërkesë të Irakut, ne e mbyllëm hapësirën ajrore dhe kufijtë tokësorë për qeverinë rajonale kurde", ka thënë zëdhënësi i ministrisë Behram Kasimi një konferencë për media në kryeqytetin e Iranit, Teheran.
I pyetur se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Iranit, Kasimi tha se "do të dalin me deklaratë për këtë më vonë".
Ndryshe, zëdhënësi i Këshillit të Lartë Kombëtar të Sigurisë të Iranit, Kejvan Husrevi, dje njoftoi se Irani i ka mbyllur hapësirën ajrore qeverisë rajonale kurde të Irakut.
Votuesit në zonat e kontrolluara nga kjo qeveri, përfshirë zonat e kontestuara midis Bagdadit dhe Erbilit, filluan votimin e tyre të hënën në referendumin për shkëputje nga Iraku.
Iraku, Turqia, Irani, SHBA-të dhe OKB-ja e kanë kundërshtuar referendumin, duke thënë se kjo do ta shpërqendrojë luftën kundër organizatës terroriste DEASH dhe do ta destabilizojë më tej rajonin.
Presidenti i qeverisë rajonale kurde, Mesud Barzani ka thënë se vota "Po" nuk do të rezultojë në shpallje automatike të pavarësisë, por thjesht do të çojë në negociata të mëtejshme me Bagdadin.