Adham Kako
28 Gusht 2018•Përditësim: 28 Gusht 2018
ANKARA (AA) - Ministri iranian i Mbrojtjes, Amir Hatami tha se do t'i ofrojnë të gjitha llojet e mbështetjes regjimit të Bashar al Asadit për ristrukturimin e ushtrisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hatami ka bërë disa deklarata për televizionin libanez El Mejadin në lidhje me detajet e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak që kanë nënshkruar me regjimin e Asadit në Damask.
"Çështja më e rëndësishme aktualisht në rend dite është ristrukturimi i Sirisë. Pika më e rëndësishme e marrëveshjes së nënshkruar ishte rindërtimi i ushtrisë (që i përket regjimit) dhe industrisë së mbrojtjes", tha ministri iranian Hatami.
- Prania e Iranit në Siri
Duke vënë theksin se Irani në kuadër të marrëveshjes do të sigurojë "çdo shërbim ushtarak" për regjimin në këto dy fusha, Hatami nënvizoi se "Prania e Iranit në Siri është realizuar konform dëshirës së qeverisë së Sirisë. Në lidhje me këtë prani një vend i tretë nuk ka të drejtë të shprehë idenë e tij. Kjo është një çështje mes Iranit dhe Sirisë. Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë ndaj kësaj".
Ai, dje dhe një ditë më parë zhvilloi një vizitë në Damask ku dhe nënshkroi marrëveshjen për bashkëpunimin ushtarak.
Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton javën e kaluar tha se Irani duhet të tërheqë forcat e tij nga Siria.
Irani u përfshi në luftën civile në anën e regjimit të Asadit, aletatit të tij në fillim të vitit 2013. Përveç Hezbollahut, Irani dërgoi milicinë shiite dhe forca speciale në Siri në fillim të vitit 2015.