Bilal Güler
01 Shkurt 2021•Përditësim: 01 Shkurt 2021
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Said Hatibzade tha se pret që sanksionet e SHBA-së kundër Teheranit do t’i shfuqizojë administrata e re në krye me Joe Biden, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Presim që SHBA të veprojë, gjegjësisht t'i heq sanksionet. Heqja e sanksioneve nënkupton përfundimin efektiv të praktikës së Trumpit. Doemos duhet të shohim efektet e heqjes së sanksioneve ndërsa një nënshkrim në letër nuk është i mjaftueshëm", tha Hatibzade në Teheran.
Ai theksoi se administrata e Washingtonit duhet të kthejë marrëveshjen dhe të përmbushë detyrimet e saj pa parakushte.
Hatibzade nënvizoi se Irani duhet të jetë në gjendje të përdorë pasuritë e tij të bllokuara jashtë vendit dhe të shesë naftë lirshëm për shkak të sanksioneve.
“Administrata e Bidenit duhet të kompensojë gabimet e qeverisë së kaluar. Deklaratat pozitive, negative dhe të shtrembërura dhe të dykuptimta për ne nuk kanë rëndësi. Aktivitetet e administratës së Bidenit janë themeli i hapave që do të ndërmarrim”, tha ai.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden emëroi Robert Malley si të dërguar special për Iranin në fund të janarit.
Malley, i cili më herët udhëhoqi Grupin Ndërkombëtar të Zgjidhjes së Konflikteve, merr detyrën në një kohë tensionesh dypalëshe që janë rritur gjatë katër viteve të fundit.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump gjatë mandatit të tij zbatoi “fushatën e presionit maksimal”, që ndërmori tërheqjen e njëanshme të SHBA-së nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 të cilën forcat botërore e arritën me Iranin dhe vendosjen e vazhdueshme të sanksioneve ekonomike që ndikuan negativisht në ekonominë iraniane.
Trump në janar të vitit 2020 urdhëroi vrasjen e gjeneralit iranian në Bagdad.
Teherani shprehu gatishmëri që të ndërmarrë disa hapa të caktuar në kuadër të Planit gjithëpërfshirës të përbashkët aksional, por shtoi se kjo nuk do të ndodh derisa Washingtoni nuk heq sanksionet e vendosura gjatë administratës së Trumpit.